Mbrojtja e emigrantëve dhe komunitetit shqiptar, prioritet i qeverisë greke


Mbrojtja e emigrantëve dhe komunitetit shqiptar, prioritet i qeverisë greke

14:00 26/01/2018

‘Mbrojtja e emigrantëve dhe sidomos komunitetit shqiptar është prioritet i qeverisë greke.’

Kështu u shpreh Ministri i Brendshëm grek Panagiotis Skouletis, gjatë takimit me Ministrin e Shtetit për Diasporën, Pandeli Majko në Athinë.

Ndërsa e vlerësoi qeverinë greke për dashamirësinë e treguar ndaj të huajve, e kryesisht shqiptarëve, Majko e vuri theksin tek ripërtëritja e marrëdhënieve mes dy vendeve. Ministri i Shtetit për Diasporën përmendi takimet e fundit mes Ministrave të Jashtëm dhe Kryeministrave grekë e shqiptarë, që siç tha, përcollën mesazhe shumë te qarta për lidhjet dypalëshe.

‘Të dyja shtetet kanë një të ardhme të përbashkët’

-ishin fjalët e Majkos. Ministri i Shtetit për Diasporën kërkoi më shumë vëmendje ndaj temave të thjeshta, të tilla si mësimi i gjuhës shqipe. Lidhur me këtë çështje, Ministri i Brendshëm grek pohoi se ruajtja e gjuhës është shumë e rëndësishme. Ministria e brendshme greke ka krijuar një pozicion të ri, Sekretari i Posaçëm për çështjet e nënshtetësisë, i cili gjatë takimit u kujdes të siguronte Ministrin se po punojnë për lehtësimin e procedurave për integrimin e fëmijëve në shoqërinë greke.

Ministri i brendshëm grek u shpreh gjithashtu se Shqipëria do të ketë mbështetjen e plotë të Greqisë në përpjekjen për t’u integruar në BE.

Problematikat e komunitetit shqiptar në Greqi ishte në fokus të bisedimeve mes Ministrit të Shtetit për Diasporën, Pandeli Majko dhe Avokatit të Popullit në Greqi, Andreas I. Pottakis. Avokati i Popullit e njohu Ministrin Majko lidhur me vështirësitë me të cilat përballen shqiptarët që jetojnë atje.

Pottakis bëri të ditur se qindra shqiptarë i drejtohen çdo vit zyrës së tij, kryesisht lidhur me çështjet e pensioneve dhe sigurimeve. Nga ana e tij Majko u ofrua të ndihmojë për krijimin e lehtësirave për shqiptarët atje dhe kërkoi krijimin e praktikave mbështetëse pranë Avokatit të Popullit, për studentët që studiojnë në Greqi.

Ministri i Shtetit për Diasporën kërkoi që emigrantët shqiptarë të vazhdojnë të trajtohen me prioritet, pasi siç u shpreh, baza e marrëdhënieve mes dy vendeve janë ato njerëzore.

/tvklan.al






Të ngjashme