Mbyllen hetimet, prokuroria dërgon për gjykim ish-ministrin Spiro Ksera
Prokuroria e Tiranës ka përfunduar hetimin dhe dërgon për gjykim ish-ministrin e Punës dhe Çështjeve Sociale, Spiro Ksera, 5 ish-vartës të tij si dhe administratorin e një kompanie private.
Ata akuzohen se i kanë vjedhur buxhetit rreth 30 milionë lekë të reja, nëpërmjet procedurave fiktive. Mashtrimi është bërë në disa aktivitete kryesisht ato për komunitetin rom dhe të moshuarit. Ndërkohë që zyrtarët e hetuar plotësonin dokumetacion fiktiv, madje duke përdorur dhe montazhin, nga buxheti i Ministrisë së Punës me firmë të Spiro Kserës kanë dalë 30 milion lekë të reja.
Prokuroria e Tiranës e akuzon, ish-ministrin per “Vjedhje duke shpërdoruar detyrën”. Kleves Bitro për “Falsifikimit të dokumentave” dhe “Vjedhje duke shpërdoruar detyrën”. Artevis Mene, Dritan Fejzulla, Elda Kozaj dhe Elisabeta Dodbiba akuzohen për “Falsifikimit të dokumentave”.
Ndërsa Alban Karabashi, administrator i Agjencisë ”Spektakël Karabashi”, që është ende në kërkim, akuzohet për “Vjedhje”.
Tv Klan