Mbyllet seanca gjyqësore e “Bandës së Gaxhait” (13 Janar 1999)


Mbyllet seanca gjyqësore e “Bandës së Gaxhait” (13 Janar 1999)

10:48 13/01/1999

Ka rinisur sot seanca gjyqësore ndaj bandës së Gaxhait. Alfred Nebiu ose i njohur ndryshe Kakami bashkë me shokët e tij, është përballur sot me Prokurorin e çeshtjes, Alban Kalaja dhe gjyqtarin Gjin Gjoni. Në seancën e sotme ishin thirrur për të dhënë deponimet e tyre dëshmitarët e kërkuar nga akuza.

Katër dëshmitarët e akuzës nuk dhanë ndonjë të dhënë konkrete me dëshmitë e tyre. Si dëshmitarë ishin thirrur edhe i ati dhe i vëllai i Zihni Harunit, i cili mendohet se është vrarë nga e ashtuquajtura “banda e Gaxhait”. Por që të dy në dëshmitë e tyre thanë se nuk kanë qënë prezent në momentin e vrasjes, por se lajmin e kanë marrë vesh nga të tjerët.

Në deponimet e tij, i ati i Harunit në Policinë e Vlorës ka thënë se ka qenë Zani me bandën e tij, vrasësit e të birit. Ai sot në dëshminë e tij para drejtësisë nuk e ka përmendur këtë fakt. Ai bashkë me të birin thanë se kanë pasur marrëdhënie të mira me Alfred Nebiun dhe familjen e tij. Meqë edhe vetë ata nuk kanë qenë prezent në vrasje nuk mund t’a akuzojnë direkt atë. Më dëshminë e katër dëshmitarëve të akuzës u mbyll sot seanca gjyqësore ndaj “bandës së Gaxhait.”/tvklan.al

Gazetar: Eduart Frangaj






Të ngjashme