Greqia në “lock down” 1-javor


Greqia në “lock down” 1-javor

11:32 02/01/2021

Masat e reja deri në datën 11 Janar

Greqia do të hyjë sërish në karantinë, teksa qeveria ka vendosur që ta çojë sërish vendin në një “lock down” një javor deri më 11 Janar. Masat e reja të lajmëruara sot, do të hyjnë në fuqi në orën 06:00 të mëngjesit të së dielës dhe do të vijojnë të jenë në fuqi gjatë gjithë javës së ardhshme.

Për këtë arsye, të gjitha aktivitetet që ishin hapur para pushimeve, siç janë qendrat tregtare, parukeritë, libraritë, etj, do të mbyllen sërish.

“Nga e diela 3 Janar deri në 6:00 të mëngjesit të hënën e 11 Janarit, ne do të qëndrojmë përsëri në shtëpi, pasi pezullohet funksionimi i të gjitha aktiviteteve dhe shërbimeve që u lejuan gradualisht para Krishtlindjeve”, njoftoi zëdhënësi i qeverisë greke.

Po ashtu do të ndalohet aktivitete të tilla si gjuetia dhe peshkimi, ndërsa ndalimi i lëvizjes së makinave do të fillojë përsëri nga ora 21:00 në mbrëmje deri në 05:00 të mëngjesit.

Zëdhënësi i qeverisë greke deklaroi se qëllimi është parandalimi i përhapjes së virusit, pas festave dhe garantimi i një situate të qetë në prag të nisjes së shkollave më 11 Janar.

“Është e nevojshme që ato që ndërtuam të gjithë së bashku, me përpjekje dhe sakrifica, për një periudhë prej shumë muajsh, të mos prishen nga relaksimi i disa ditëve. Rastet e reja janë ende të larta dhe presioni mbi Sistemin Kombëtar të Shëndetit vazhdon. Spitalet tona vazhdojnë të trajtojnë një numër të madh të pacientëve”.

Greqia falë masave të marra prej disa javësh, ka shënuar një përmirësim të situatës së pandemisë, ku shifrat e infektimeve dhe viktimave kanë pësuar ulje të ndjeshme.

Tv Klan






Të ngjashme