Mbyllet votimi për kryebashkiakun e Kolonjës
Është mbyllur procesi i votimit në 36 qendrat e Kolonjës dhe plotësimi i procesverbaleve. Materialet zgjedhore po dorëzohen në KZAZ-në e Ersekës për të nisur më pas edhe procesi i numërimit të votave, për kryetarin e ri të Bashkisë Kolonjë.
Sipas të dhënave të raportuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, pjesëmarrja në këto zgjedhje të pjesshme lokale ishte 49.6 % dhe nuk është shënuar asnjë parregullsi.
Mbi 15 mijë votues të Kolonjës u thirrën sot para kutive të votimit për të shprehur vullnetin e tyre politik.
Dy kandidatët që konkurrojnë për Kryetar Bashkie të Kolonjës janë, Ilia Stefo, propozimi i koalicionit të majtë dhe Dritan Hajro i të djathtëve.
Zgjedhjet vendore në Kolonjë u mbajtën pas ndarjes nga jeta në mënyrë të parakohshme të ish-kryetarit të majtë Arben Malo./ TV KLAN