Mbytet në Portin e Barit peshkarexha shqiptare (19 Shkurt 2001)
Peshkarexha shqiptare “Juli” është mbytur natën e djeshme rreth 500 milje larg qytetit të Barit në Itali. Për fat të mirë të 5 anëtarët e ekuipazhit kanë shpëtuar pasi kanë arritur të lëshojnë një sinjal shpëtimi para se peshkarexha të mbytej. Ata janë ndihmuar nga një anije transportuese shqiptare që ndodhej në atë zonë.
Ndërkohë edhe nga Porti i Barit është nisur një motorbarkë shpëtimi e kapitenarisë, por ajo arriti në zonë kur peshkarexha shqiptare ishte mbytur. Sipas personave që kanë shpëtuar, peshkarexha “Juli” i ishte drejtuar Portit të Barit kur në të është hapur një e çarë.
Koha tepër e keqe ka bërë që anija të mbushej menjëherë me ujë dhe të mbytej shumë shpejt. Ndërkohë 5 anëtarët e ekuipazhit të shpëtuar janë në gjendje shumë të mirë shëndetësore dhe ndodhen në kapitenerinë e Portit të Barit. Atje ata do të dëgjojnë nga personeli i portit në lidhje me aksidentin./tvklan.al
Gazetare: Fjodora Fjora