Polumbarët kërkojnë peshkatarin
Një tjetër peshkatar dyshohet se është mbytur në ujërat e liqenit të Pogradecit. Gëzim Seitllari, nga fshati Memlisht, i cili kishte dalë për të peshkuar mëngjesin e datës 31 Dhjetor ka humbur kontaktet me familjarët.
Policia ka filluar që dje kërkimet për 53-vjeçarin, por pa rezultat.
Këtë të mërkurë në mëngjes, varka e peshkatarit, që rezulton i humbur, është gjetur në thellësi të liqenit, në Hudenisht, në një distancë prej 100 larg bregut, çfarë ka shtuar dyshimet se peshkatari është mbytur.
Në kërkim të tij janë vënë peshkatarët e zonës si dhe polumbarët e Reneas, që mbërritën nga Tirana.
Kjo ngjarje vjen pas tragjedisë në rezervuarin e Bradomirës, ku në 30 dhjetor dy peshkatarë të tjerë humbën jetën pas përmbysjes së varkës.
Tv Klan