“Më ka penalizuar ky trup, por gjithmonë i kam dhënë kurajo vetes”
Raimonda Qëndro rrëfeu në programin “Historia ime”, në Tv Klan historinë e vështirë të jetës së saj. Ajo është rritur në jetimore, nuk i ka njohur prindërit dhe mungesën e tyre e ka ndjerë çdo ditë.
Ajo është me nanizëm dhe ky fakt e ka penalizuar për të arritur ëndrrat e saj, ose për të gjetur punë. Paragjykimet dhe opinionet e të tjerëve e kanë lënduar, por ka arritur të gjejë forcën dhe të ecë përpara.
Krejt rastësisht, ajo njihet me personin që i vodhi zemrën dhe që e pranoi për atë që ajo ishte.
Mirela Milori: Si je ndjerë ti?
Raimonda Qëndro: Faktikisht më ka penalizuar ky trup dhe ky shtat i shkurtër, nuk kam arritur të bëj ëndrrat e mia realitet, ose të gjej një punë që të mbaja veten deri në atë periudhë, pa u bërë nënë e një vajze. Kam mundur të punoj babysitter, të pastroj, po në ambiente të mbyllura. Kanë qenë opinionet, shumë gjëra që mua më kanë vrarë, si nga paraqitja, si shpirtërisht, por gjithmonë kur kam ikur dhe kam marrë atë lek kam thënë duhet ta bëj sepse jeta vazhdon. Grumbulloja disa të ardhura, por pa e ditur se ku mund të përfundoja, gjithmonë i kam dhënë kurajo vetes.
Mirela Milori: Më fol pak për dashurinë tënde dhe ardhjen e vajzës në jetë?
Raimonda Qëndro: Ne jemi njohur rastësisht në një lokal të Tiranës, domethënë duke u ngacmuar.
Mirela Milori: Ai të pa që ishe shtatshkurtër?
Raimonda Qëndro: Normal, më pa, por nuk e vuri re që të shikonte pamjen e jashtme, por pa Mondën nga brenda, si mund t’i themi.
Mirela Milori: Ai nuk është si ty?
Raimonda Qëndro: Po është normal, një në 7 vjet mund të dalë një si unë, jo të gjithë janë si unë (qesh).
Mirela Milori: Ra në dashuri ai me ty?
Raimonda Qëndro: Ishte humori, batutat, sinqeriteti. Por kur shkonte tek pjesa që pyeste për familjen thoja ndonjë batutë dhe thoja tani çfarë të them. Ai më pranoi kështu siç jam dhe unë i thashë ti më pranon për këtë që jam, kështu siç jam, unë jam dakord të vazhdoj diçka me ty. Pa e ditur si do rridhnin gjërat më tutje, unë nuk i dija problemet e tij, apo çfarë kishte në shtëpi./tvklan.al