Më në fund kutitë hapen në Tv Klan
Më në fund kutitë u hapën. Ndodhi ekskluzivisht në Tv Klan në orën 20:05 minuta të së hënës. Ishin kutitë e Kelit, i cili do ta niste në këtë mënyrë, me këmbë të mbarë, edicionin e gjashtë të “Kutia e fundit”.
Në fakt këtë sezon kutitë u hapën në studion më të re të Televizionit Klan. Ndoshta edhe impresionimi i moderatorit Enkel Demi në zbritjen e tij të parë skenike në këtë arenë të re të “Kutisë së Fundit” ishte për t’i dhënë një impuls më të fortë spektaklit që nga e hëna e 11 Janarit çeli lojën e kutive për 2010-ën.
Në këtë shtëpi të re, Keli me humorin e tij të spikatur, mikpriti të parën lojtare të vitit 2010, Arisën, e cila pas një sërë kutish të hapura mundi të marrë me vete vetëm 100 Euro, por fitoi një tjetër çmim.
Por i shumëprituri lajm këtë vit është se lojtarët nuk do të luajnë më për çmimin 10 mijë Euro, por 20 mijë Euro në ditë, që në pesë emisione ne javë plotësojnë shifrën 100 mije Euro, të dhëna nga banka e këtij Game Show aq të ndjekur nga shqiptarët, bankë që drejtohet nga Eduard Oga
Por këtë herë, lojtarëve do t’u duhet ta mbrojnë vlerën e fituar me një sprovë në gijotinë.
Tashmë “Kutia e fundit”, me regji të Ardit Roshit, numëron mbi 950 seri dhe për më tepër shumë pak e ndajnë nga seria e 1000-të, e cila sigurisht do të vijë në këtë sezon dhe në këtë studio të madhe, e cila u ngrit në këmbë në një kohë rekord, falë punës së palodhur, me orare të zgjatura, vetëm me një synim: Imazhin dhe shpirtin e televizionit.
Rikthimi i Kutisë, Live në Televizionin Klan, në një teatër ku dhe publiku luan rolin e vet, është një arsye më shumë për të gjithë ata njerëz të dhënë pas kësaj loje televizive, që ekranin e vogël ta kthejnë nga e hëna në të premte, në orën 20:05 vetëm në Klan.
Tv Klan