Më pak qytetarë në rrugë, problem masat në tregje
Policia dhe ushtria patrullojnë në akset kryesore
Ora 13:00 është momenti që bllokohet qarkullimi i mjeteve dhe i qytetarëve për 16 orë rresht, deri në orë 05:00 të mëngjesit të së martës. Të gjitha mjetet e Policisë Rrugore kanë ndezur sirenat për të paralajmëruar qytetarët të qëndrojnë të izoluar në shtëpi dhe mos qarkullojnë në rrugë.
Edhe Policia Ushtarake zbarkoi në terren për të patrulluar në rrugët e Tiranës. Rrugët u boshatisën, teksa mungojnë lëvizjet e qytetarëve dhe mjeteve.
Ka edhe nga ata drejtues mjeti që kanë qarkulluar pa u pajisur me autorizim dhe vetëm në Tiranë janë ndëshkuar 40 shoferë. Në orët e para të mëngjesit, orar që lejohej edhe lëvizja, qytetarë të shumtë nuk kanë respektuar distancën, kryesisht në tregjet e fruta-perimeve.
Situata u normalizua me kalimin e orëve, ndërsa në markete, dyqane dhe furrat e bukës qytetarët respektonin radhën duke ruajtur edhe distancën nga njëri-tjetri.
Tv Klan