Me pistoletë pa leje me vete, prangoset i riu
Një i ri ka përfundur në prangat e efektivëve të Dibrës, pasi qarkullonte me armë zjarri pa leje.
28 – vjeçari Jetmir Basha, banues në Deshat të Njësisë Administrative Kastriot, po udhëtonte drejt Peshkopisë me makinën e tij Opel DI 48 83 A, kur u ndalua për kontroll dhe më pas u arrestua, pasi iu gjet një pistoletë "TT" me 8 fishekë. Sipas policisë, ndalimi i tij u bë falë informacioneve të marra në rrugë operative, se në aksin rrugor rural Kastriot – Peshkopi, një person po qarkullonte me armë zjarri me vete dhe kjo bëri që menjëherë të organizohej një pikë kontrolli në këtë aks. 28 - vjeçari Basha u arrestua për akuzën e veprës penale ”Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe e municionit", ndërsa Policia po vijon hetimet në bashkëpunim me Prokurorinë për zbardhjen e plotë të kësaj vepre penale, si dhe të arsyes së lëvizjes me armë pa leje në drejtim të qytetit të Peshkopisë./tvklan.al