Familja që ka trashëguar qëndistarinë në 5 breza (Video)


Familja që ka trashëguar qëndistarinë në 5 breza (Video)

20:18 10/11/2018

Në vitin 1912 Perandoria Osmane sapo ishte tërhequr nga Dibra e Madhe. Pa pritur një valë e re sulmesh nga Serbia dhe Jugosllavia mësynë në veriun e Shqipërisë. Për të shpëtuar, shumë myslimanë gjetën strehë në Tiranë, në qytetin e xhamisë së madhe. Nga Dibra shpërngulet edhe një familje që mbartte me vete thesarin e një mjeshtërie, atë të qëndistarisë.

“Në vitin 1923 babai bashkë me xhaxhain emigruan në Kajro, në Egjipt tek djemtë e hallës të cilët ishin të shpërngulur atje. Atje ata mësuan edhe zanatin”

tha Bedri Kazazi Erebara.

https://youtu.be/hS4B6eW8T04?t=18m39s

Pas 8 vitesh punë në kryeqytetin e artizanatit të kohës Kadri Erebara dhe i vëllai Baudini me kërkesë të oborrit mbretëror kthehen në Tiranë ku hapën të parat qëndistari ku punimi realizohej me fije ari. Shumë shpejt punimet e tyre do të gjendeshin në çdo shtëpi tiranase.

“Që të bëjë një kostum Tiranë në atë kohë kushtonte nga 50 napolona ar dhe deri tek më i liri mund të shkonte 25 napolona. Duke mësuar profesionin në Egjipt me makinë çmimet do të reduktoheshin në atë masë saqë jo vetëm njerëzit e pasur mund të bënin kostume, por edhe fshatarsia…Qeshte im atë me mua, se më thoshte ty të ka frikë makina sepse me mua s’punon, me ty punon…Kur e kam mbyllur dyqanin, kur më kanë sjellë plaçkat, kam qarë se sikur më fliste makina. Më vinte turp të më shohë nusja e djalit…’tu qa vjehrri’, nga dashuria se po braktissha profesionin. E megjithatë, unë derisa sa të kem frymë, unë nuk do ta lë profesionin

“, tregoi Qerem Erebara në një intervistë për “Jo Vetëm Modë”.

Në vitin 1939 Shqipëria u gjend nën pushtimin Italian. Kadri Erebara qe ndër të parët e arrestuar për patriotizëm, por edhe për veprimtarinë e tij si tregtar. Pasi u la i lirë ai u detyrua të ndryshojë mbiemër dhe familja e qëndistarëve nisi të njihej me mbiemrin Kazazi që në shqip do të thotë punim me ar.

Qëndistarinë e ka trashëguar edhe brezi i pestë i familjes Erebara, por tashmë me teknikat moderne të kohës.

/tvklan.al  






Të ngjashme