Mediat britanike: Holanda po kthehet në narko-shtet
Holanda po shndërrohet në një narko-shtet. Ky është titulli, që ka përzgjedhur e prestigjiozja britanike “The Guardian” për një shkrim ku trajtohet situata alarmante e krijuar nga rritja e kriminalitetit që lidhet me trafikun e lëndëve narkotike.
Paratë e krimit po shndërrohen në një ekonomi paralele, duke krijuar një situatë emergjente me të cilën policia holandeze e ka të pamundur të përballet – citon “The Guardian” një raport të sindikatës holandeze të forcave të rendit. Pjesëtarët e bandave kriminale po shndërrohen në sipërmarrës të fuqishëm në fusha të ndryshme si në tregun e shtëpive, agjencitë e udhëtimeve etj.
Faji për fuqizimin e klaneve të drogës i vihet kanabisit dhe prostitucionit që në këtë vend janë të ligjëruara. Sipas raportit, kjo ka bërë që Holanda të jetë objektiv i trafikantëve të drogës dhe qenieve njerëzore.
Laboratorët e përpunimit të drogës me cilësi të lartë në jug të Holandës furnizojnë tregjet në gjithë Europën dhe Shtetet e Bashkuara. Laboratorët drejtohen kryesisht nga bandat marokene të përfshira në prodhimin e kanabisit. Sipas Europolit, gjysma e sasisë së kokainës që qarkullon në Europë, me vlerë vjetore 5.7 miliardë euro, kalon përmes portit të Roterdamit.
Raporti thotë gjithashtu se pavarësisht rënies së nivelit zyrtar të akteve kriminale në Holandë, është shtuar numri i krimeve që nuk denoncohen. Të rinjtë gjithnjë e më shumë priren të kryejnë krime të paguara nga bosët e drogës, të cilët u japin atyre të paktën 3 mijë euro për vrasje.
Tv Klan