Mediat dhe politika greke komentojnë Ramën
Intervista e kryeministrit Edi Rama në televizionin “Skai” është komentuar gjerësisht nga mediat greke. Gazeta “Kathimerini” e titullon shkrimin e saj “Edi Rama në favor të negociatave paketë” ku nënvizon se kryeministri shqiptar ka kërkuar negociata paketë për gjithë çështjet dypalëshe midis Athinës dhe Tiranës që nga zonat detare dhe ligji i luftës, deri te krijimi i varrezave ushtarake për të rënët grekë në vitin 1940. Gazeta thekson deklaratat që lidhen me paktin detar dhe minoritetin grek në Himarë.
Gazeta e madhe “Ta Nea”, ka veçuar prononcimin e kryeministrit për marrëveshjen e detit. “Edi Rama: Ka zona të diskutueshme në detin Jon, ta bisedojmë” – është titulli i saj. Shumica e gazetave të tjera janë përqendruar në deklaratat e kryeministrit mbi “Shqipërinë e Madhe” apo vërejtjet se Shqipëria kërkon të zgjerojë kufijtë e vet. Veçohet e përjavshmja “ProtoThema” ka titullin “Rama: Budallallëqe rreth Shqipërisë së madhe, nuk kemi synime ndaj Greqisë”.
Të tjerë tituj të fokusuar te kjo cështje janë: “Edi Rama: Nuk ka plan për Shqipërinë e Madhe” apo “Rama: Shqipëria e Madhe është Shqipëria Europiane”.
Tv Klan