Mediat ngrenë sërish alarmin: 300 kriminelë e mashtrues shqiptarë po lejohen të qëndrojnë në Britani
Prej disa ditësh tashmë, mediat britanike e kanë kthyer fokusin tek shqiptarët, të cilët lejohen në qëndrojnë Britani pavarësisht të shkuarës kriminale apo faktit që kanë gënjyer për të fituar qëndrimin në këtë shtet. Këtë të enjte është "DailyMail" që sjell një artikull ku zbulon se janë rreth 300 shqiptarë, të cilët kanë pretenduar se ishin kosovarë dhe duhet të deportohen, por çështja e tyre pritet të shkojë në Gjykatën e Lartë, duke rrezikuar kështu që ata të fitojnë të drejtën për të qëndruar në këtë shtet. Për më shumë lexoni artikullin më poshtë.
*** Me qindra shqiptarë që gënjyen për të fituar azil në Britani mund t'i shpëtojnë deportimit. Duke e cilësuar këtë si një test për ligjet në vend, e përdishmja "DailyMail", shkruan se një kriminel i dhunshëm dhe 2 persona të tjerë pretendojnë se Home Secretary gaboi që i hoqi nënshtetësinë. Nëse Gjykata e Lartë lejon apelin e tyre të kushtueshëm, kjo do të thotë se mbi 300 shqiptarë që u futën në Britani duke pretenduar se ishin kosovarë nuk do të dëbohen. Dinjan Hysaj, 40 - vjeç e fitoi azilin në Korrik të 1998 -ës, pasi pretendoi se ishte një fëmijë refugjat nga Kosova e shkatërruar nga lufta. Në 2011, ai u dënua me 5 vite burg pasi goditi me gotë një burrë në një klub në Hemel, Hempstead Hertfordshire. Agron Bakijasi, 44 - vjeç u ekspozua në vitin 2007, pasi partneri i tij u rikthye në Shqipëri në një tentativë për të aplikuar për status ligjor të emigrantit. Luan Kaziu 35 - vjeç, arriti në Britani në vitin 1998, por pretendimet e tij u zbuluan se ishin false pas 9 vitesh, kur bashkëshortja e tij aplikoi për të qëndruar. Detaje të betejës ligjore dolën në dritë pasi qeveria britanike lejoi Ermal Alijajn, që të qëndronte në këtë shtet. Atij iu ishte refuzuar azili për të cilin kishte aplikuar me një identitet të rremë, sërish kosovar, kishte qëndruar në arrati për 9 vite e më pas kishte riaplikuar me emrin e vërtetë, duke fituar leje qëndrimi pa afat. [caption id="attachment_302392" align="aligncenter" width="755"]Ermal Alijaj
[/caption] Në këtë çështje ligjore të Gjykatës së Lartë, avokatët e emigrantëve, që paguhen nga taksapaguesit britanikë, thonë se pavarësisht që kanë mashtruar autoritetet duke pretenduar se ishin kosovarë, ata duhet të lejohen që të qëndrojnë në Britani të Madhe. Sipas avokatëve, Home Secretary bëri gabim që ia hoqi nënshtetësinë kur e vërteta doli në pah, pasi ata gjithsesi fituan të drejtën e qëndrimit në këtë shtet. Për rastet e tyre mësohet se që prej 2007 -ës ka nisur një hetim nga Home Office. Hetimi përfshin edhe qindra raste të tjera që kanë bërë aplikime të ngjashme. Megjithatë qëkur gënjeshtrat e tyre dolën në pah, ata kanë vijuar të qëndrojnë në Britani dhe kanë luftuar një betejë të gjatë ligjore. Ndërkohë, Home Office ka pezulluar dëgjesat për heqjen e nënshtetësisë për shqiptarët që përdorën të njëjtën mënyrë për të fituar azil në 1990 -ën. Në rastin e 37 - vjeçarit Alijaj, zyrtarët vendosën që 9 vitet që kishte qëndruar ilegalisht në Britani e favorizuan atë për shkak të rrënjëve që kishte vendosur në këtë vend. Ai shkoi drejt vendit ishullor në 2002 -in i fshehur në një kamion dhe deklaroi se ishte nga Kosova dhe përdori emër të rremë. Pikërisht rasti i shqiptarit nga Kukësi, për mediat britanike është provë sesi shqiptarët kanë mashtruar autoritetet duke pretenduar se janë kosovarë. Avokatët në Gjykatën e Lartë, sipas "DailyMail" thonë se dëgjesa pritet që të ndodhë në fund të këtij viti dhe vendimi me gjasë nuk do të dalë përpara pranverës së ardhshme.//tvklan.al