Mediat “shpallin” Trump-in tradhtar
“Tradhti e hapur” është titulli i madh të cilin e përditshmja amerikane
New York Daily News
ka përzgjedhur për të përshkruar takimin e të hënës mes Trump-it dhe Putin-it në Helsinki. Të tillë e vlerësojnë thuajse të gjitha mediat prestigjioze të botës. Në një opinion,
Washington Post
shkruan se presidenti Trump pati sukses të gjerë vetëm në një objektiv të qartë pavarësisht se të pashpallur: “Ta bëjë Rusinë sërish madhështore”, duke ironizuar moton e fushatës presidenciale të Donald Trump-it.
“Këlyshi i Putinit” e quan e përditshmja britanike
Mirror,
teksa komenton se presidenti u akuzua për tradhti me mbështetjen që i bëri Putin-it për ndërhyrjen në zgjedhjet amerikane. Në rrjetet sociale janë përhapur fotomontazhe, ku Trump shfaqet si lodra e Putinit.
Në një intervistë për
Fox News
pas takimit me homologun amerikan, shefi i Kremlinit mohoi kategorikisht çdo ndërhyrje ruse në zgjedhjet amerikane. Madje qeshi me ironi kur gazetari i parashtroi dokumente të shërbimeve amerikane të zbulimit që tregonin përfshirjen e njësive konkrete të hakerave rusë dhe emrat e tyre.
Ndër të paktët që e vlerësuan dialogun ishte Ministri i Jashtëm gjerman, Heiko Maas. Përmes Twitter-it, ai tha se kriza si ato të Sirisë e Ukrainës nuk zgjidhen, duke mos pasur komunikim mes Moskës dhe Washingtonit.
Tv Klan