Mediu: Kemi mirëkuptimin që të dalim si opozitë e bashkuar në zgjedhje
Kryetari i Partisë Republikane, Fatmir Mediu, ka zhvilluar një takim me kryetarin e opozitës, Lulzim Basha. Mediu u shpreh se mes palëve ekziston mirëkuptimi që të dalin në zgjedhje si opozitë e bashkuar dhe me program të përbashkët.
Kreu i PR-së deklaroi se secili subjekt që do të jetë pjesë e listave duhet që të ketë kontributet e veta. Qëllimi sipas Mediut është maksimalizimi i votave.
“Kemi mirëkuptimin që duhet të dalim si opozitë e bashkuar edhe me program edhe me fytyra që qeverisin vendin, por në një marrëdhënie elektorale e cila bazohet mbi peshën e gjithsecilit subjekt dhe kontributet që duhet të vijë si rezultat i kësaj peshe. Gjithë ideja është që konkurrimet duhet të përfshijnë njerëz dhe partitë politike që të maksimalizojmë votën e opozitës dhe qytetarëve shqiptarë për të përmbysur këtë regjim të korruptuar. Pastaj në analizë se ku janë zonat edhe ku do të jenë dhe si do të funksionojnë është pjesë e një diskutimi që vazhdon”, tha Mediu.
Mediu tha se nuk është vendosur se ku do të kandidojë vetë, por u shpreh se është i gatshëm që të kandidojë “kudo që i shton një votë opozitës”.
“Unë e kam thënë jam i gatshëm të kandidoj kudo që shtoj një votë opozitës, por nuk kemi përcaktuar as vendin e Fatmir Mediut dhe asnjërit. Folëm për pozicionet që ka PR-ja në raport me peshën e saj elektorale. Në raport me peshën elektorale do të vlerësojmë figurat që do të konkurrojnë në emër të PR-së, koalicionit apo PD-së”, tha Mediu./tvklan.al