Mejdani dhe Majko në Strasburg – (28 Prill 1999)
Arkiva Lajme – Tv Klan 1999
I përket shqiptarëve të Kosovës të vendosin për statusin përfundimtar të saj. Kështu është shprehur Presidenti Mejdani para Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës në Strasburg. Mejdani përsëriti qëndrimin e tij se një Protektorat Ndërkombëtar i kryesuar nga NATO duhet të vendoset në Kosovë pas konfliktit.
Për të arritur në një zgjidhje politike përfundimtare që mund të çonte në krijimin e një shtëti të ri të pavarur në Kosovë ne duhet të kalojmë një periudhë të ndërmjetëme, e cila nis me largimin e forcave ushtarake policore serbe nga Kosova tha Mejdani.
Ndarja e Kosovës do të hapte derën për luftë kronike në Ballkan, theksoi Mejdani. Ai i ka konsideruar jo të sinqerta qëndrimet e fundit të zv/kryeministrit jugosllav Drashkoviçit. Në Strasburg, Presidenti Mejdani ka takuar numurin një të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës, Rasell Xhonson.
Ndërkohë ditën e nesërme kryeministri Majko do të vizitojë Gjermaninë me ftesë të kryeministrit Shreder. Përballimi i krizës humanitare, zgjidhja e konfliktit dhe statusi i ardhshëm i Kosovës do të jenë temat kryesore të bisedimeve Majko-Shreder. Gjermania mbështet vendosjen e një forcë ndërkombëtare në Kosovë të drejtuar nga NATO.
Këtë qëndrim e ka paraqitur Kryetari i Komisionit për Bashkimin Europian i Parlamentit Gjerman Fluger në takimin me kryeparlamentarin Gjinushi dhe kryeministrin Majko. Kryeministri Majko tha se e vetmja zgjidhje është largimi i të gjithë forcave policore ushtarake nga Kosova dhe vendosja atje e trupave të NATO-s./tvklan.al
Gazetar – Vladimir Lame