Mëngjesi i veçantë dhe tradicional i Anglisë
Shefi i njohur i kuzhinës, Ismet Shehu ishte i ftuar këtë pasdite në programin “Rudina”, në Tv Klan. Ai ka treguar për eksperiencën e tij tepër të veçantë, kur gatoi për mbretëreshën Elisabeth të Mbretërisë së Bashkuar. Ushqimi që gatoi ishte peshku, një nga të preferuarit e mbretëreshës.
Ismet Shehu ka qenë emigrant për një kohë të gjatë në Angli. Ai ka nisur të bëjë punë të ndryshme për të siguruar jetesën, por rreth moshës 14-15 vjeçare nisi të kuptonte se kishte një pasion shumë të madh për gatimin.
Arriti të renditej mes studentëve më të mirë dhe u bë pjesë aktivitetit që i dhuroi eksperiencën më të pabesueshme të jetës. Në studio, ai tregoi se mëngjesi tradicional i anglezëve është tepër i rëndë.
“Anglia është nje vend shumë i madh dhe ka shumë kuzhina të ndryshme. Ata për tradicionalen e tyre nuk mbahen shumë, ato mishin e hanë që në mëngjes, groshën me sheqer. Mëngjesin e kanë shumë të rëndë. Anglezit nuk i intereson fare, çohet në 8 të mëngjesit, e di që duhet të hajë vezën, e ngarkon veten shumë rëndë. Unë kur kam shkuar në fillim i thoja vëllait: Ç’është kjo groshë me sheqer?”.
Më tej, ai shton se anglezët nuk e kanë problem të përzejnë sheqerna me kripëra.
“Anglezët nuk e kanë problem të përzejnë sheqerna me kripëra, të gjitha në një vend. Çaji i mbasdites është një çaj i shtrenjtë, që vërtet dalin e konsumojnë dhe vërtet shpenzojnë”.
Kur u afirmua si kuzhinier, pasionin e tij e solli në Shqipëri, ku edhe ndërtoi një nga restorantet më të njohur të Tiranës, duke ndërthurur ushqimet tradiconale me disa elemente modernë dhe shumë specialë,/tvklan.al