MEPJ thërret sërish ambasadoren greke
Tirana zyrtare i kërkon Athinës të distancohet e të dënojë aktet e rënda të ndodhura në Greqi, e që cënojnë klimën e marrëdhënieve miqësore mes fqinjëve.
Mesazhin ia ka përcjellë Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme, ambasadores greke në Shqipëri Eleni Surani, e thirrur për të dytën ditë radhazi pranë selisë së diplomacisë shqiptare, këtë herë në lidhje me ngjarjet e ndodhura në Greqi, duke nisur nga alarmi për bombë pranë Ambasadës tonë në Athinë, djegia e bizneseve shqiptare, protesta para ambasadës dhe konsullatës tonë, si dhe djegia e flamurit kombëtar.
Në takim, ambasadores Surani i është nënvizuar nevoja që autoritetet greke të marrin masat e duhura, për të garantuar jetën dhe pronën e shtetasve shqiptarë me banim në Greqi.
/abcnews.al