Mërgjyshi, largimi i radhës nga Superliga
10 javë kampionat, 10 trajnerë afrohen e largohen nga skuadra të Superligës. Artan Mërgjyshi është i fundit në këtë listë që la detyrën një ditë më parë. Tekniku u largua nga Laçi, sikurse thotë për arsye personale. Pas Besnik Prengës, ai ishte i dyti që drejtoi Laçin deri në javën e parë të fazës së dytë. Dy javë më parë ishte Ardian Mema që pasoi në pankinën e Tiranës brazilianin Ze Maria.
Pak zgjati edhe aventura e Elvis Plorit me Kastriotin. Vendin e tij e zuri Stavri Nica. Edhe pse nuk shkoi aspak mirë në Europa League, Milos Kostiç vazhdoi punën në drejtimin e Luftëtarit me rezultate, jo të kënaqshme për drejtuesit e klubit. Pas 4 javësh në Superligë, Gentian Mezani zuri vendin e tij.
Deri tani, vetëm me përfundimin e fazës së parë, 5 klube ndryshuan pankinat e tyre. Penalizimi i teknikëve shqiptarë, vjen më së shumti nga mungesa e rezultateve. Dëshira e donatorëve për të shkëlqyer që në fillim të sezonit nuk përmbushet, merkato e Janarit është larg dhe kërkon investime dhe në pamundësi për të ndërruar të gjithë ekipin, fatura iu lihet trajnerëve.
Jashtë kamerave ata e pranojnë se janë gjithnjë me valixhe në dorë dhe se janë të përgjegjshëm që mungesa e një kombinimi të mirë trajnerë dhe lojtarë cilësorë do t’i ndëshkojë gjithnjë.
Tv Klan