Merkato e Superligës, Partizani prezanton Luka Bertonin
Pas trajnerëve dashuria e Partizanit për italianët transferohet edhe te futbollistët.
Të kuqtë e kryeqytetit kanë gjetur mesfushorin organizator që i mungonte, pas largimit të Felipe Gomez.
Ai është Luca Bertoni, futbollisti 24-vjeçar i kërkuar nga tekniku Adolfo Sormani.
Lojtari i përfolur shumë gjatë merkatos vjen në Superligë nga skuadra e Sudtirolit.
Më parë në karrierën e tij, mesfushori ka luajtur edhe me Karpin në Serinë B, ndërsa në sezonin 2012/2013 kaloi një aventurë edhe te Milani, por nuk arriti të gjejë hapësira.
Gjithsesi, Bertoni nuk do të mund të zbresë në fushën e lojës në ndeshjen e kthimit kundër Ferencvarosh në Ligën e Kampioneve.
Aktive në merkato edhe skuadra tjetër e kryeqytetit.
Tirana ka gjetur sulmuesin që kërkonte prej kohësh.
Ai është futbollisti nigerian Emeka Emerun, i cili është bashkuar me ekipin e drejtuar nga Ilir Daja në fazën përgatitore, që po zhvillon në Serbi.
Blerja e futbollistit u zyrtarizua nga klubi bardheblu, që në njoftimin e shpërndarë për mediat bën të ditur se Emerun ka arritur marrëveshjen dhe do të jetë pjesë e skuadrës duke nisur nga sezoni i ardhshëm.
Sulmuesi 21-vjeçar është rritur në klubin e Bajernit të Mynihut, ndërsa tranferohet te Tirana nga skuadra serbe e Slobodës.
Tv Klan