Merkel: Integriteti territorial është vlerë e rëndësishme


Merkel: Integriteti territorial është vlerë e rëndësishme

18:55 28/08/2018

Marrëveshja e mundshme mes Kosovës dhe Serbisë për ndryshimin e kufijve mund të ketë pasoja për vendet e tjera. Paralajmërimi vjen nga kancelarja gjermane Angela Merkel, e cila thotë se rasti i shkëmbimit të territoreve mund të përdoret si precedent.

Angela Merkel, kancelare e Gjermanisë: 

 

“Ne natyrisht që i mbështesim të gjitha bisedat që mund të çojnë drejt qëllimit, por në të njëjtën kohë, mendojmë se integriteti territorial ashtu siç është tani është një vlerë e rëndësishme. Duhet të jemi të kujdesshëm që negociatat në një vend të mos çojnë në negociata në një vend tjetër”.

Qëndrimi i kancelares Merkel është në një linjë me atë që kishte deklaruar ministri gjerman për Euopën, Michael Roth dhe ambasada e Gjermanisë në Kosovë, që kishin paralajmëruar se ndryshimi i kufijve do të ishte i rrezikshëm dhe do të sillte destabilizim në rajon.

Gjatë takimit në Alpbach në Austri, presidentët Thaçi e Vuçiç nuk e përjashtuan idenë e korrigjimit të kufijve.

Në një postim në Facebook këtë të martë, Thaçi përsëriti se përkrah bashkëngjitjen e Preshevës, Bujanovcit dhe Medvegjës me Kosovën, por është kundër ndarjes apo shkëmbimit të territoreve.

Takimi i rradhës mes dy krerëve të shtetit është më 7 shtator në Bruksel, në prani të shefes së diplomacisë europiane, Federica Mogherini.

Tv Klan






Të ngjashme