Merkel kritikon Traktatin e Dublinit
Si rrallë ndonjëherë, Kancelarja gjermane Angela Merkel shprehu kritika të forta për traktatin e Dublinit, që përcakton mënyrën e shpërndarjes së refugjatëve në zonën Shengen. Kritikat i shprehu gjatë një takimi me homologun spanjoll Pedro Sançez, ku në fokus ishte kriza e emigrantëve.
“Rregullorja aktuale e azilit sipas Traktatit të Dublinit është jo-funksionale. Në teori, një refugjat nuk duhej të vinte kurrë në Gjermani. Por në fakt realiteti është ndryshe”.
Synimi i vizitës së Merkelit në Spanjë ishte nënshkrimi i marrëveshjes dypalëshe për rikthimin në vendet ku kanë shkelur fillimisht, të azilkërkuesve që nuk i plotësojnë kushtet e azilit në Gjermani.
Spanja është një prej pikave kryesore hyrëse të emigrantëve ilegalë nga vendet e Afrikës drejt shteteve europiane. Në takimin me Kryeministrin spanjoll, Kancelarja gjermane kërkoi rishikimin e traktatit të Dublinit, për një shpërndarje më të drejtë të refugjatëve mes vendeve të unionit, në mënyrë që barra mos u bjerë vetëm pak vendeve.
Dialogu mes Gjermanisë dhe Spanjës për emigrantët do të vijojë. Plani Merkel – Sançez është që të bindin autoritetet në Marok për ngritjen e kampeve për pritjen e emigrantëve ilegalë që dëbohen nga Europa, një ide që është hedhur poshtë deri më tani nga Libia, Egjipti e të tjera vende afrikane.
Tv Klan