
Merkel: Në kërkim të historisë së suksesit në Ballkan
Maqedonia nuk ka parë shumë personalitete të larta politike dhe diplomatë të lartë që nga fundi i luftës në Kosovë në vitin 1999. E kyçur në mes të Greqisë në jug, Bullgarisë në lindje, Shqipërisë dhe Kosovës në perëndim e Serbisë në veri, ish-republika jugosllave me 2 milionë banorë nuk ka qenë opsioni i parë i vizitës për ndonjë lider botëror. Deri më tani. Historitë e suksesit mes politikanëve europianë janë të rralla këto kohë, aq më pak ato të Ballkanit të trazuar. Maqedonia ka shansin të bëhet një histori e tillë suksesi, por vetëm, nëse e ndryshon emrin në Republika e Maqedonisë së Veriut.
Më 17 Qershor, kryeministri maqedonas, Zoran Zaev dhe ai grek, Aleksis Tsipras nënshkruan marrëveshjen, të njohur si marrëveshja e Prespës, gati 27 vjet pas negociatave të vështira dhe grindjeve lidhur me emrin historik, Maqedoni. Shumë politikanë europianë psherëtinë të lehtësuar, ndërkohë që të tjetë, si përfaqësuesja e BE për Politikën e Jashtme, Federica Mogherini dhe ministri i Jashtëm gjerman, Heiko Maas e cilësuan atë "historike". Menjëherë pas kësaj, Maqedonia mori ftesën për t'iu bashkuar NATO-s, e megjithëse Berlini bëri përpjekje për hapjen e shpejtë të negociatave me BE, ato u bllokuan nga Franca e Holanda dhe u shtynë me një vit. Të dyja këto hapa u panë si inkurajim për qeverinë e Shkupit dhe qytetarët e Maqedonisë për të mbështetur referendumin e 30 Shtatorit.