Merr flakë banesa në Fier, shkak djegia e një qarku elektrik (15 Maj 2001)
Shkëndija e një qarku elektrik ka djegur një banesë të tërë në qarkun e Fierit. Zjarri ka ndodhur rreth orës 11:00 të paradites së sotme. Ka qenë banesa e qytetarit fierak Xhemal Driza ndërsa alarmi për djegien është dhënë nga vetë e shoqja, 65-vjeçarja Lili Driza e cila ka parë nga jashtë djegien e shtëpisë së saj. Së bashku me nipin e saj 3-vjeçar, gruaja ishte duke u kthyer për në shtëpi ku nga dritarja ka parë flakët që po mbulonin shtëpinë. Ulërimat e saj kanë mbledhur fqinjët të cilët janë vënë menjëherë në ndihmë të shuarjes së zjarrit.
Ndërsa zjarrfikëset e qytetit kanë mbërritur kur flaka kishte djegur dhe shkatërruar gjithçka në shtëpi. Ata janë munduar të fikin ato pak vatra që mund të kishin mbetur ndezur. Si pasojë e zjarrit janë shkatërruar të gjitha pajisjet elektroshtëpiake, sendet dhe orenditë e shtëpisë. Gjithashtu flaka ka djegur dhe rrobat e trupit të familjarëve si dhe 1 milion dhrahmi që gjendeshin në dollapin e rrobave, kursime që i kishte mbledhur nga djemtë emigrantë në Greqi./tvklan.al