Merr para me fajde nga ish-doganieri, ky i fundit i grabit pronën me manipulim
Rasti i radhës në emisionin “Stop” në Tv Klan ka të bëjë me një borxh, që Petraq Dodi i ka marrë Kristaq Skuprës, një shumë prej 250 milionë lekësh në vitin 2004.
Rasti i radhës në emisionin “Stop” në Tv Klan ka të bëjë me një borxh, që Petraq Dodi i ka marrë Kristaq Skuprës në shumë prej 250 milionë lekësh në vitin 2004.
Pas 4 vjetësh për këtë akt u hartua edhe një deklaratë noteriale. Realisht borxhi ka qene 160 milionë lekë jo 250 milionë lekë. Por shuma u shtua, pasi burimi i të ardhurave është i pajustifikuar nga ana e familjes Skupra.
Fajdexhiu Kristaq Skupra dhe gruaja e tij kanë qenë në funksione publike, ndaj kanë probleme me deklarimin e të ardhurave. Skupra ka qenë prej vitesh drejtor në disa dogana në Shqipëri.
Borxhi u shlye fillimisht gjysma, në shumën 80 milionë lekë. Më pas për shkak të vështirësive ekonomike, Petraq Dodi nuk arriti të bënte pagesën e plotë. Familja Skupra përdori gjykatën për të nxjerrë një urdhër ekzekutimi dhe vazhdoi të merrte borxhin, përmes përmbaruesit privat Artan Sima. Aktualisht borxhi është likujduar, madje familja Skupra i detyrohet t’i kthejë Petraqit 10 milionë lekë të vjetra, diferenca nga pronat, që i ka marr.
“I jam drejtuar emisionit “Stop” për një problem që kam me Kristaq Skuprën, ish-drejtor i disa doganave në Korçë në vitet 2001-2002 e këtej. Ky person është nën hetim për pastrim parash, dhënie parash me fajde, fshehje të ardhurash etj. I takon prokurorisë ta hetojë. Unë nuk i kam marrë 250 milionë, por 160 milionë nga të cilat gjysmat e lekëve ia kam dhënë në vitin 2009. Për pjesën tjetër meqenëse biznesi nuk ka shkuar mirë, nuk munda që t’i shlyeja dhe e lamë për një afat më vonë. Kristaq Skupra duke parë dobësinë time ekonomike arriti që këtë deklaratë noteriale nëpërmjet influencës që kishte në gjyqtarë, prokurorë, në rrethin e Korçës dhe në persona të tjerë me influencë arriti që këtë ta bëjë një titull ekzekutiv nëpërmjet gjykatës së Korçës me gjyqtare Rudina Palloi që është kategorikisht e jashtëligjshme që një deklaratë noteriale të bëhet titull ekzekutiv”, tha Dodi.
“Personi që i ka dhënë këto lekë Kristaq Kuprës dhe Vasili Skupra atëkohë punonin në institucione publike dhe nuk mund ta justifikonin këtë shumë kaq të madhe. Më konkretisht sipas Gjykatës së Apelit të Korçës i detyrohet tashmë 10 milionë lekë të vjetra kreditori debitorit, pra shtetasi Kristaq Skupra i detyrohet shtetasit Petraq Dodi. Jo vetëm që e ka shlyer shumën, por i detyrohet debitorit kreditori një shumë të caktuar”, tha avokati Kondi Ilia.
Problemet për Petraq Dodin nisën, kur nisi ekzekutimin përmbaruesi privat.
“Doli titull ekzekutiv me përmbarues Artan Simën. Këtu fillon historia me Artan Simën që ka bërë për mua shkelje flagrante duke shfrytëzuar postin e tij si përmbarues”, tha Dodi.
Ky i fundit pajtoi një ekspert privat dhe pronat e Dodit i vlerësoi me çmim 7-8 herë më të ulët se çmimi i tregut.
“Ka tejkaluar kompetencat, ka vënë sekuestro përveç të gjithë pronave të mia, ka vënë sekuestro në pronat e shoqërisë ku unë jam ortak i vetëm dhe nuk kishte borxh shoqëria, por unë si individ. Më vonë vërej një vlerësues që ne e kallëzuam penalisht. Quhet Petraq Robi, vëllai i një ish-prokurore të Korçës. Dy herë e kemi kundërshtuar në Gjykatë, por u hodh poshtë. Prandaj kemi bërë kallëzim penal sepse ky ka kaluar kompetencat juridikisht. Arritëm gjer në ditën e sotme, ku ka ekzekutuar të gjitha pronat e mia, 5 prona plus dhe 1 makinë me një vlerë gati në 2 miliardë lekë. Ndërkohë unë i detyrohesha për një shumë prej 80 milionë lekësh”, tha Dodi.
Një tjetër shkelje e përmbaruesit është edhe marrja e një prone, që ishte kolateral në bankë.
“Midis këtyre pronave dhe një pronë ishte lënë kolateral për një kredi që kishte marrë shoqëria për biznesin. Atëherë me influencën që kishte prapë Kristaq Skupra dhe përmbaruesi Artan Sima duke ndikuar në Hipoteka, kanë bërë kalimin e pronës pa lajmëruar këtë bankë”, tha Dodi.
Në fund, juristi i bankës pranon shkeljet dhe gabimet, por thotë, se më këtë çështje duhet të merret prokuroria./tvklan.al