Messi apo Mbappe vazhdon Botërorin?
Temperaturat janë rritur në Rusi dhe kjo jo për shkak të motit, ndeshjet për Kupën e Botës kanë ardhur në fazën ku gabimet nuk falen pasi të çojnë në shtëpi. Franca përballë Argjentinës në orën 16:00 do të jetë e para që do të na tregojë se cili është futbolli i vërtetë. Nuk ka rëndësi si luhet, tashmë pragmatizmi dhe cinizmi prevalojnë mbi spektaklin e kësaj loje madhështore.
“Preferoj të luajmë keq dhe të fitojmë sesa anasjelltas. Ata kanë sulmues shumë të fortë, por mbrojtjen e kanë të dobët. Mendoj se mund t’i thyejmë, pasi ata kanë pësuar nga një gol në çdo ndeshje. Na takon ne të jemi efiçentë në sulm dhe të përfitojmë nga dobësia e tyre”,
thotë futbollisti francez Presnel Kimpebe.
Duke luajtur jo mirë, por duke qenë efektivë në momentet kyçe, Argjentina arriti ta kalojë grupin. Duket se Messi dhe shokët e tij kanë fituar vetëbesim, sikurse thotë edhe trajneri Sampaoli.
“Kemi besim tek aftësitë tona dhe përgatitja që kemi bërë. Argjentina është shumë e fortë moralisht dhe psikologjikisht. Fati i ndeshjesh do të vendoset në fushën e lojës”.
Duke qenë se të dyja këto skuadra ishin ndër pretendentet në fillim të kampionatit, përballja e pasdites së sotme mes tyre do të jetë si një prej finaleve të parakohshme. Yjet e të dy skuadrave, Griezmann Pogba e Mbape për Francën, Messi, Di Maria për Argjentinën duhet të japin maksimumin në këtë ndeshje, sepse nëse jo sot, atëherë kur?
Tv Klan