Messi në gjyq për mashtrim dhe evazion


Messi në gjyq për mashtrim dhe evazion

18:52 31/05/2016

Gjykata e Barcelonës hapi të martën procesin gjyqësor ndaj Lionel Messit, që akuzohet për mashtrim me llogaritë bankare dhe evazion fiskal. Ylli argjentinas sëbashku me të atin, i cili është njëkohësisht edhe agjenti i tij, dyshohen se kanë shfrytëzuar kompani fantazëm të ngritura në vende të njohura si parajsa fiskale, për t’iu shmangur taksave për mbi 4 milionë euro, shumë e përfituar nga të drejtat e imazhit nga vitet 2007-2009. Ata akuzohen në tre raste për evazion fiskal.

Prokurorët spanjollë do të kërkojnë 22 muaj burg për Messin dhe babain e tij, dhe nëse ata shpallen fajtorë, do të shlyejnë shumën e përfituar nga mashtrimi me të ardhurat. Gjyqi ndaj 5-herë fituesit të Topit të Artë do të zgjasë 3 ditë, ndërsa vetë Mesi do paraqitet para gjykatësit të enjten.

Futbollisti i Barcelonës nuk i ka pranuar akuzat, duke thënë se ai i përkushtohet vetëm futbollit, gjithçka tjetër ia ka lënë në dorë të atit. Emri i Lionel Messit doli edhe në dosjet e “Panama Papers”, ku 28-vjeçari ishte një prej klientëve të zyrës ligjore Mosak Fonseka, që ishte në themel të aferës skandalit financiar.

Tv Klan






Të ngjashme