Meta: Sistemi shëndetësor, në prag kolapsi
Rama: Opozitë e çardisur, i ka varur shpresat te katastrofa
Presidenti Ilir Meta dhe Kryeministri Edi Rama janë përfshirë sërish në një debat në distancë lidhur me situatën e pandemisë.
Në një reagim në rrjetet sociale kreu i shtetit e konsideroi situatën kritike, ndërsa kërkoi nga qeveria të marrë masat e menjëhershme të masave për përballimin e situatës dhe shmangien e kolapsit.
“Sistemi shëndetësor rrezikon të zhytet në kolaps të thellë, me pasoja tepër të rënda për shëndetin e qytetarëve”, tha Meta.
Nuk mungoi përgjigja e kryeministrit, i cili e konsideroi të turpshëm qëndrimin që po mban opozita për situatën.
“Ilir, që ti Monika Luli Saliu i keni varur shpresat tuaja të lodhura për pushtet tek ëndrra e katastrofës shëndetësore, këtë e kupton çdokush me dy fije mend! Që do dështoni edhe më keq se herë tjetër këtë do ta shihni në 25 Prill!”
Përplasjet vijuan edhe më tej, teksa Meta i kërkoi edhe një herë kryeministrit të shtojë buxhetin për shëndetësinë dhe të ndërpresë koncensionet korruptive dhe tenderat sekretë.
“Qytetarët e infektuar po shtohen çdo ditë! Jetët e humbura po shtohen çdo ditë! Shto testimet! Rimburso pacientët të cilët mjekohen në shtëpi, familjet në nevojë dhe pensionistët e infektuar me COVID-19!”
Ndërsa kryeministri në një tjetër reagim teksa e konsideroi opozitën një çetë të çakërdisur personazhesh qesharak, theksoi se infektimet dhe humbjet e jetës po shtohen kudo në botë.
“Si shpjegohet që tërë kjo botë nuk po ia del dot më mirë se ne, meqë këtu e paska fajin qeveria për rritjen e numrave? Pyetje kot kjo se ti je Shvejku, “Ç’më duhet mua ça them unë!”, jo Presidenti i Republikës! Si të ra kështu kallaji fare o njeri, çfarë do akoma nga Shqipëria!”
Më herët kryeministri Rama për të hedhur poshtë pretendimet e opozitës se sistemi shendetësor është në prag katastrofe, publikoi pamje nga Spitali Infektiv dhe punën që po bëhet nga mjekët për të shpëtuar jetët e pacientëve me koronavirus.
Tv Klan