Meta: Besëlidhje e re përballë rrezikut nga sekti mafioz
“Erdhi koha të dëgjohet sa më fort zëri i popullit”
Presidenti i Republikës, Ilir Meta, përmes një postimi në rrjetet sociale pak orë përpara nisjes së manifestimit të thirrur prej tij, thotë se mesazhi që na vjen nga historia është që populli të ngrihet dhe të bashkohet kundër rrezikut të pushtimit nga një sekt mafioz.
Presidenti e konsideron tubimin si një Besëlidhje të re, ndërsa thekson se sot duhet dëgjuar më shumë se kurrë zëri i popullit.
Presidenti citon Fan Nolin në lidhje me heroin tonë kombëtar Gjergj Kastriot Skënderbeun që thotë se do të mbetet shqiptari më i gjallë ndër të gjallët, figura më shpëtimtare dhe më frymëzuese për mbijetesë e kombit tonë.
“Sot në përkujtim të ngjarjes historike të Besëlidhjes së Lezhës, unifikimit kombëtar përballë rrezikut të asimilimit e shkombëtarizimit, mesazhi që na sjell nga historia, uroj të na ndihmojë ne të gjithëve për reflektuar, për t’u ngritur dhe bashkuar sa nuk është vonë, në një Besëlidhje të re, po aq të fortë e gjithëpërfshirëse, përballë një rreziku të ri pushtimi nga një sekt mafioz, pa fe, pa familje, pa atdhe, që ka marrë peng të ardhmen e çdo shqiptari!
Zëri i popullit është zëri i Zotit! Erdhi koha të dëgjohet sa më fort! Mirësevjen Besëlidhja e re me Pranverën Kuqezi”, shkruan Meta. /tvklan.al