Meta bisedë telefonike me Hahn
Miratimi me sukses i Reformës në Drejtësi ka qenë në fokus të bisedës telefonike mes Kryetarit të Parlamentit, Ilir Meta dhe Komisionerit për Zgjerimin, Johannes Hahn.
Komisioneri Hahn përgëzoi Kryetarin Meta për arritjen e konsensusit dhe miratimin e kësaj reforme me unanimitet.
Nga ana e tij, Meta shprehu mirënjohje për të gjitha forcat parlamentare në BE dhe mbi të gjitha për ndërhyrjen e vendosur të Hahn për përmbylljen me konsensus dhe sukses të kësaj reforme madhore për vendin.
Kryeparlamentari tha se miratimi i saj me konsensus bën që implementimi të jetë më i sigurtë, ashtu sikurse edhe rruga e integrimit të Shqipërisë drejt Bashkimit Europian.
Edhe Komisioneri i BE vlerësoi rolin e Metës për gjetjen e konsensusit dhe shprehu bindjen se tashmë Shqipëria ka hyrë në një fazë të re dhe në një rrugë më të qëndrueshme drejt BE./tvklan.al