Meta dekoron Mujo Ulqinakun: Dinjiteti kombëtar më i rëndësishëm se jeta pa liri
Presidenti Ilir Meta i ka akorduar dekoratën më të lartë Mujo Ulqinakut pas vdekjes për sakrificën në mbrojtje të sovranitetit territorial kundër pushtimit fashist.
“Është nderi dhe privilegji im si President i Republikës, t'i akordoj një oficeri të thjeshtë si Mujo Ulqinaku, Dekoratën më të lartë që ekziston sot në Republikën e Shqipërisë, me motivacionin:
"Për heroizmin, trimërinë dhe sakrificën më sublime në mbrojtje të sovranitetit territorial të atdheut, lirisë dhe pavarësisë së Shqipërisë, si shembull monumental i patriotizmit dhe atdhedashurisë, si simbol i mbrojtjes së dinjitetit kombëtar, si model i ushtarakut që i qëndron deri në fund betimit para Flamurit Kombëtar".
Kush më shumë se Mujo Ulqinaku, simboli i rezistencës kundër pushtimit fashist, e meriton këtë Dekoratë me rastin e 75-vjetorit të Çlirimit të Atdheut”, shprehet Presidenti Ilir Meta në një postim në Facebook.
Kreu i shtetit shkruan gjithashtu se Mujo Ulqinaku i tregoi botës se dinjiteti kombëtar është më i rëndësishëm se jeta pa liri dhe dinjitet, ndryshe nga shumë vende të Europës që nuk bënë rezistencë ndaj pushtimit nazi-fashist.
“Shumë vende të tjera në Europë ndihen të turpëruara se nuk bënë asnjë rezistencë ndaj pushtimit Nazifashist. Ne shqiptarët jemi krenarë se kemi historinë e lavdishme të Heroit tonë të parë të rezistencës antifashiste, Mujo Ulqinakut, që bashkë me disa shqiptarë të vërtetë, edhe pse të braktisur, i treguan mbarë botës se dinjiteti kombëtar dhe besnikëria ndaj Flamurit Kombëtar janë më të rëndësishme se jeta pa dinjitet dhe pa liri. Shqiptarët e thjeshtë shpesh kanë bërë atë që udhëheqësit tanë duhet të bënin të parët”, thotë Presidenti Meta. /tvklan.al