Meta më 9 Shtator para Komisionit Hetimor
“Unë mezi pres të kthehem tek parlamenti”
Presidenti i Ilir Meta do të jetë përpara Komisionit Hetimor, që synon shkarkimin e tij, të hënën e 9 Shtatorit në orën 10:00. Burime nga ky Komision pohojnë për Televizionin Klan se orari është vendosur në konsultim me vetë kreun e shtetit. Ilir Meta pohoi gjatë paradites së kësaj të mërkure përmes një statusi në rrjetet sociale se ishte i paduruar për t’u rikthyer në parlament.
“Të dashur miqtë e mi gazetarë, më “çmendët” me sms tuaja, si asnjëherë tjetër! Po ç’është kjo pyetje kaq absurde që më bëni të gjithë: A do shkoj tek Parlamenti?! Së pari, Presidentit si Kryetar i Shtetit, i takon të jetë shembull i bashkëpunimit institucional. Dhe besoj se në këto dy vite kam bërë gjithçka për të vendosur këtë bashkëpunim, në respekt të plotë të Kushtetutës, shtetit ligjor dhe interesit publik. Së dyti, unë mezi pres të kthehem tek Parlamenti”.
Seanca e të hënës pritet të marrë vëmendje të madhe publike dhe mediatike, pas akuzave të ndërsjellta që kanë shkëmbyer vetë Presidenti dhe mazhoranca, pikërisht pas anulimit të dekretit nga ana e Metës, për zgjedhjet lokale të 30 Qershorit, çka u bë dhe shkak për nismën e shumicës, për ta shkarkuar kreun e shtetit për shkelje të Kushtetutës.
Por përpara se Komisioni të dalë me një raport përfundimtar, ku do t’i propozohet parlamentit shkarkimi i Metës, do të duhet të presë dhe opinionin e Komisionit të Venecias. Një delegacion i këtij institucioni do të vizitojë Tiranën nga data 9 deri në datën 11 Shtator, e që në axhendë ka parashikuar takime me vetë kreun e shtetit Meta, anëtarët e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe përfaqësues të qeverisë dhe të gjithë anëtarët e Komisionit Hetimor.
Tv Klan