Meta me Caldera, ushtria shqptare – (29 Korrik 1999)


Meta me Caldera, ushtria shqptare – (29 Korrik 1999)

14:59 29/07/1999

Arkiva Lajme – Tv Klan 1999

Shetet e Bashkuara të Amerikës kanë vendosur për prani afatgjatë të ushtrisë amerikane në tokën shqiptare. Zëvendës Sekretari Amerikan i Shtetit për mbrojtjen Caldera, i është përgjigjur pozitivisht ofertës së Kryeministrit Majko për të nënshkruar mes dy shteteve një memorandum, i cili do të ligjeronte qëndrimin afatgjat dhe misionin e ushtarëve amerikan në tokën shqiptare.

Majko u shpreh se ushtria amerikane ka përkrahjen më pozitive në radhët e shqiptarëve. Pas takimit mes dy delegacioneve Zv/kryeministri Meta dhe numri dy i Pentagonit Caldera, kane dalë para gazetarëve. Meta u shpreh se me nënshkrimin e memorandumit ushtarak shqiptaro-amerikan, qeveria shqiptare siguron dhënien e lehtësive ushtarake në përdorim të trupave amerikane.

Ilir Meta, Zëvendës Kryeministër:- “Qeveria Shqiptare do të kërkoj dhe një memorandum për një prezencë afatgjatë të trupave të SHBA në Shqipëri dhe mendon se angazhimi i Natos dhe në veçanti SHBA, është vendimtar për një stabilitet dhe siguri afat gjatë në rajonin tonë”.

Zv/sekretari Amerikan i Shtetit për Mbrojtjen deklaroi rihapjen në Ministrinë e Mbrojtjes të zyrës së përfaqësimit të ushtrisë amerikane. Ministri i Mbrojtjes Shqiptare Luan Hajdaraga i ka kërkuar sot ndihmë numrit dy të ushtrisë amerikane Caldera, në mobilizimin e regjimentit të MCR, brigadës xheniero ndërtuese, si dhe infrastrukturës të disa poligoneve të ushtrisë shqiptare./tvklan.al

Gazetar – Vladimir Lame






Të ngjashme