Meta: Për koalicionin vendosin forumet e reja. PS e PD në pritje deri në dhjetor


Meta: Për koalicionin vendosin forumet e reja. PS e PD në pritje deri në dhjetor

16:00 06/11/2016

Vetëm pas zgjedhjes se forumeve të reja drejtuese, Lëvizja Socialiste për Integrim do të ketë një përgjigje mbi të ardhmen e koalicionit të majtë për zgjedhjet parlamentare të qershorit.

Ulja në tryezën e diskutimeve, kryeministrit Edi Rama do t’i kushtojë të paktën edhe një muaj pritje, deri në zgjedhjen e strukturave të reja të LSI-së, të cilat do të kenë edhe mandatin për vendimmarrjen politike të radhës. Lajmi u konfirmua nga Ilir Meta, pas votimit që kjo forcë politike zhvillon për kreun e ri të LSI-së.

Ilir Meta:

Duhet të përfundojnë këto zgjedhje në 4 dhjetor. LSI ka sërish zgjedhje, mbledh konventën. Sot zgjidhen delegatet që do shkojnë në konventë për të zgjedhur forumet dhe janë këto forume që do përcaktojnë axhendën e LSI, nuk ka kush tjetër mandat për ta bërë.

Sakaq në pritje do të jenë edhe demokratët, të cilët ia kanë lënë derën hapur LSI-së, duke i vënë si kusht që më parë të zgjedhë, mes qeverisë së Ramës dhe rreshtimit në krah të koalicionit kundër drogës, krimit dhe për zgjedhje të lira e të ndershme.

Kryeministri Rama në një intervistë të dhënë pak ditë më parë për Televizion Klan, tha se fati i koalicionit të majtë në zgjedhjet e ardhshme do të varet pas fushatës së LSI-së, për të parë nëse partia me të cilën qeveris prej më shumë se tre vitesh do të vazhdojë të qëndrojë në koalicion me PS-në apo do të rimartohet djathtas./ TV KLAN






Të ngjashme