Meta pranon Letrat Kredenciale të ambasadorit të ri të Estonisë


Meta pranon Letrat Kredenciale të ambasadorit të ri të Estonisë

14:51 13/03/2018

Presidenti i Republikës Ilir Meta pranoi sot Letrat Kredenciale nga Ambasadori i ri i Republikës së Estonisë në vendin tonë, Priit Pallum.

Presidenti Meta vlerësoi bashkëpunimin e mirë politik midis dy vendeve dhe nënvizoi nevojën e intensifikimit të mëtejshëm të shkëmbimeve të vizitave e të kontakteve në të gjitha nivelet politike.

Duke iu referuar ekspertizës së mirënjohur estoneze në fushën e teknologjisë dhe informacionit, si dhe mundësive reale të bashkëpunimit në këtë aspekt, Presidenti Meta theksoi rëndësinë e progresit të Shqipërisë në këtë drejtim, për një rritje ekonomike më të lartë, por dhe garantimin e shërbimeve më cilësore e transparente ndaj qytetarëve.

Presidenti Meta shprehu gjithashtu mirënjohjen për mbështetjen shumë domethënëse që Estonia i ka dhënë Shqipërisë përgjatë procesit të integrimit evropian, si dhe për konfirmimin e mbështetjes për çeljen e negociatave të anëtarësimit në BE.

Një vlerësim të veçantë Presidenti Meta e bëri për mbështetjen që Estonia i ka dhënë Kosovës, që në ditët e para të shpalljes së pavarësisë e në vijim.

/tvklan.al






Të ngjashme