Meta President, urimi dhe parashikimi i Kokëdhimës
Zgjedhjen e Ilir Metës President e ka uruar e komentuar edhe ish – deputeti socialist, Koço Kokëdhima. Në një status në rrjetet sociale, teksa e uron për detyrën e re, Kokëdhima shkruan se vendosja e tij në këtë post ishte parashikuar në marrëveshjen mes PS – LSI, të katër viteve më parë.
“Urim për Presidentin Meta! Sot Ilir Meta u zgjodh President i vendit. Kjo ishte parashikuar në marrëveshjen PS-LSI të katër viteve më parë. Unë i uroj suksese zotit Meta në këtë detyrë të lartë dhe në sfidën e tij për të qenë një figurë dhe simbol i bashkimit kombëtar. “
Më tej, teksa vë në dukje se LSI dhe Meta janë të lidhura ngushtë me njëra – tjetrën, ish – deputeti i PS ngre pyetjen nëse do të mundet presidenti i ri të bëjë që shqiptarët të shkojnë të bashkuar në zgjedhje.
“Ilir Meta dhe LSI janë aq të lidhura me njëra-tjetrën. Opinioni publik pret të mësojë se çfarë roli do të luajë zoti Meta dhe LSI tani për tejkalimin e krizës politike. A do mundet Presidenti i ri të ndihmojë që populli ynë të shkojë i bashkuar në zgjedhjet e sivjetshme? “
Sipas Kokëdhimës, nëse shqiptarët do të përçahen në zgjedhje, Meta do të ketë një presidencë të vështirë.
“Nëse shqiptarët do të përçahen në zgjedhje, Meta do të ketë një presidencë të vështirë. Unë uroj që zgjedhja e tij t’i shërbejë ç’tensionimit të situatës dhe bashkimit të popullit në zgjedhjet e përgjithshme.”
/tvklan.al