Meta: Qeveria të bëjë transparente motivet e masave kufizuese gjatë pandemisë
Presidenti Ilir Meta i ka bërë thirrje qeverisë që të bëjë transparencë për mënyrën si ka vepruar përgjatë periudhës së pandemisë. Sipas Metës, qytetarët kanë nevojë të dinë se cilat kanë qenë arsyet e qeverisë për vendosjen e masave kufizuese gjatë asaj periudhe.
Deklaratën kreu i shtetit e bëri në ditën e 67-vjetorit të hyrjes në fuqi të Konventës Europiane për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut dhe Lirive Themelore, për të cilën shton se solli një perceptim të ri për Shqipërinë.
“Sot, 24 vite pas bërjes palë të kësaj Konvente, Shqipëria ka nevojë për nje analizë serioze për të vlerësuar masën në të cilën të drejtat dhe standardet demokratike që cakton KEDNJ janë garantuar për shtetasit e saj. Në këtë ditë me rëndësi të veçantë, dua të sjell në vëmendje të të gjithëve se, përveç kujdesit dhe trajtimit shëndetësor të denjë ndaj qytetarëve, ligjshmëria, nevoja, proporcionaliteti dhe mosdiskriminimi – janë testet që duhet të përsëriten çdo ditë nga organet shtetërore për secilën masë kufizuese që po na shoqëron në përditshmërinë tonë në luftën kundër COVID-19. Ndërsa transparenca mbi motivet e caktimit të këtyre masave është pasqyra para së cilës duhet të dalë Qeveria për të reflektuar. Qytetarët kanë të drejtë të informohen se si ka vepruar Qeveria e tyre përgjatë kësaj periudhe të vështirë dhe se sa të mbështetura në Kushtetutë dhe Konventë janë vendosur dhe zbatuar këto masa kufizuese përgjatë gjithë kësaj kohe”, shkruan Meta.
Sipas Metës nëse nuk ka transparencë “çdo gjë shuhet dhe bie në errësirën e së keqes”./tvklan.al