Meta refuzon Gent Cakajn: I papërgjegjshëm


Meta refuzon Gent Cakajn: I papërgjegjshëm

15:55 10/01/2019

“Nuk shoh arsye për të dyshuar në faktin që Presidenti i Republikës do të marrë kohën e tij  dhe do të dekretojë ministrat, sikundër e kërkon Kushtetuta”,

shprehej Kryeministri Rama më 31 Dhjetor.

Por ndryshe  nga sa besonte Kryeministri, Presidenti i Republikës i ka gjetur arsyet për të refuzuar kandidaturën e propozuar për ministër të Jashtëm. Ilir Meta, në letrën e refuzimit dërguar Kryeministrit, e cilëson Gent Cakajn, 28-vjeçarin e lindur në Kosovë, si të papërshtatshëm për postin e ministrit të Jashtëm.

“Profili i z. Genti Cakaj, i propozuar për postin e ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme, ka mungesë të qartë të përvojës politike, diplomatike, administrative, shtetërore, në secilin element dhe në tërësi. Pozicioni i ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme është një nga postet më të rëndësishme në kabinetin qeveritar, aq më tepër tani kur vendi është pjesë e Trojkës së OSBE-së dhe në më pak se një vit përgatitet të marrë kryesimin e saj, një hap historik dhe një përgjegjësi që kapërcen kufijtë e Shqipërisë dhe rajonit tonë.

Ndërkohë, ditët, javët dhe muajt e ardhshëm janë vendimtarë sepse Shqipëria është përpara vendimit jetik për çeljen e negociatave të anëtarësimit me Bashkimin Evropian në qershor 2019.

Përparimi i Dialogut Kosovë – Serbi me qëllim forcimin e perspektivës evropiane të të dy shteteve është një nga zhvillimet më të rëndësishme të rajonit tonë gjithashtu.

Në mungesë të kohës për të eksperimentuar e provuar kapacitetet dhe aftësitë e ministrit të propozuar përballë sfidave aktuale madhore për vendin dhe interesat kombëtare të tij, gjykoj se në krye të Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme duhet një individ i sprovuar dhe efikas, me njohje të plotë të përgjegjësive shtetërore, kombëtare dhe administrative, i vetëdijshëm për impaktin e madh dhe vendimtar që do të ketë në politikën e jashtme, veçanërisht në muajt e ardhshëm, por edhe gjatë kryesimit të OSBE-së nga Shqipëria që është një përgjegjësi historike për vendit tonë”.

Arsyeja kryesore për Metën është qëndrimi publik që ka mbajtur Cakaj lidhur me debatin për korrigjimin e kufijve mes Kosovës dhe Serbisë, gjatë ushtrimit të detyrës si zëvendësministër i Jashtëm.

“Qëndrimet e tij publike në kontekstin e debatit për të ashtuquajturin korrigjim të kufijve të Kosovës e Serbisë por edhe të Ballkanit Perëndimor janë në kundërshtim të plotë me programin e qeverisë aktuale për politikën e jashtme dhe shtjellimin e saj nga Ministria e Punëve të Jashtme (citoj nga intervista e Zv/ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë, Gent Cakaj, për emisionin “Zona e Debatit” në Klan Kosova, dt. 01 nëntor 2019:

Këto deklarata të rrezikshme të z. Gent Cakaj, me pasoja të paparashikueshme në rajon dhe me gjerë, në planin dypalësh dhe më tej, janë në kundërshtim të hapur me politikën rajonale të shtetit shqiptar, të NATO-s dhe të vetë Bashkimit Evropian.

Përkrahja, sponsorizimi apo dhe mosreagimi me vendosmëri ndaj tezave për shkëmbim territoresh/korrigjim kufijsh në rajon është qasje destruktive që kërcënon paqen dhe sigurinë e rajonit dhe në mospërputhje me angazhimet e detyrimet e Shqipërisë si vend anëtar i NATO-s dhe minon besueshmërinë e vendit tonë si faktor stabiliteti në rajon”.

Përveçse i papërvojë, Presidenti thotë se Gent Cakaj është edhe i papërgjegjshëm, për shkak se si zv/ministër i Jashtëm ka neglizhuar pajisjen me certifikatë sigurie duke shkelur hapur ligjin.

“Z.Gent Cakaj ka treguar mungesë të theksuar të përgjegjshmërisë gjatë ushtrimit të detyrës së Zëvendësministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme

 Nga informacioni zyrtar i administruar nga MEPJ, nga DSIK dhe agjencitë e tjera ligjzbatuese rezulton se z. Gent Cakaj, për një periudhë të vazhdueshme prej 7 muajsh ka neglizhuar qartësisht zbatimin e akteve ligjore dhe nënligjore të sipërcituara, që sipas parashikimeve të ligjit përbëjnë shkelje penale dhe janë të dënueshme sipas legjislacionit në fuqi.

 Sipas konfirmimit shkresor të MEPJ dhe DSIK, z. Gent Cakaj ka plotësuar formularin e aplikimit vetëm më datë 03 janar 2019 (3 ditë pas firmosjes së propozimit për dekretim si Ministër të MEPJ). 

Cakaj, me mosplotësimin e formularit të aplikimit dhe mospajisjen me Certifikatat përkatëse të Sigurisë për periudhën 7 qershor 2018 deri në 3 janar 2019, jo vetëm që ka vënë në rrezik informacionin e klasifikuar sekret shtetëror apo sekret NATO dhe BE, por nga ana tjetër ai ka shfaqur haptazi mosbindjen e tij përballë një detyrimi të qartë ligjor.

 Shmangia prej tij i zbatimit të këtyre detyrimeve ligjore, së pari është shkelje për të cilën çdo funksionar duhet të mbajë përgjegjësitë që i takojnë, por njëkohësisht kjo sjellje tregon për mungesë të përgjegjshmërisë në ushtrimin e funksionit publik si Zv.Ministër për Evropën dhe Punët e Jashtme, si dhe është një tregues tepër i qartë për rrezikun që mbart kjo kandidaturë, për të ushtruar detyrën shumë të rëndësishme të propozuar për emërim të Ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme”. 

Meta ngre dyshime dhe për procesin e pajisjes së Cakajt me certifikat sigurie e cila është nxjerrë në mënyrë urgjente sipas tij brenda një dite. Çka nuk garanton besueshmëri se verifikimi i figurës së tij ka qenë i rregullt.

“Procesi i certifikimit të sigurisë për z. Gent Cakaj i kryer nga DSIK brenda një dite (04 01.2019), duket hapur që është një proces i kryer në kushtet e urgjencës, dhe në kundërshtim me procedurën dhe kërkesat e ligjin”.

Sipas kreut të shtetit, për Cakaj duhet të kryehen verifikime jo vetëm në Shqipëri dhe Kosovë, pasi ka dy shtetësi por edhe në Hungari dhe Belgjikë ku ka kryer studimet.

Për të gjitha këto, Presidenti shprehet se kandidatura e z.Gent Cakaj nuk i plotëson kushtet, nuk krijon besueshmëri dhe nuk ofron garancitë e nevojshme për ushtrimin me objektivitet dhe në lartësinë e kërkuar të detyrës tepër të rëndësishme të ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme.

Kjo është hera e dytë që Presidenti Meta refuzon dekretimin e nje ministri pas atij të Sandër Lleshajt, i cili u dekretua vetëm pasi propozimi ju ridërgua për së dyti nga kreu i qeverisë.

Tv Klan






Të ngjashme