Meta: Synojmë një gjykatë të pavarur nga politika
Kreu i shtetit sjell shembullin e Kosovës ku u rrëzua qeveria
Në të njëjtën ditë që dekretoi anëtarin e gjashtë të Gjykatës Kushtetuese, Ilir Meta tha se synimi është një gjykatë e pavarur nga politika, ndërsa solli si shembull Gjykatën Kushtetuese në Kosovë.
“Ky është një proces që vazhdon, ne të gjithë duhet të ndjekim e monitorojmë funksionimin e kësaj gjykate dhe vendimmarrjen e saj. Në Kosovë pati një zhvillim shumë interesant. Edhe ne duhet të synojmë të kemi një gjykatë të pavarur nga politika”.
Meta tha se nuk ka asnjë tërheqje nga ana e tij për zhbllokimin e procesit të përzgjedhjes së anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, duke përsëritur akuzat se bllokimi ndodhi nga një skemë mafioze e mazhorancës në bashkëpunim me KED.
“Nuk ekziston asnjë tërheqje nga ana e presidentit sa i takon kushtetutshmërisë së procesit. Ky proces ka pasur dhe ka mangësitë e tij nga pikëpamja e ligjit dhe shumë aspekte të tjera. Çdo spekulim për të krahasuar situatën aktuale me atë kur ndodhi kriza apo përplasja mes Presidentit me Parlamentin dhe ish-kreun e KED është e pavend, pasi në atë rast kishim një përpjekje për të rrëmbyer në mënyrë kriminale dhe mafioze një anëtar të Gjykatës Kushtetuese, që i takonte Presidentit, për ta marrë mazhoranca”.
Kreu i shtetit ka zgjedhur 2 nga 3 anëtarët që i takojnë sipas Kushtetutës, ndërsa mbetet në pritje të një prej emrave që do t’i dërgojë Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, që do të jetë edhe anëtari i shtatë i Gjykatës Kushtetuese.
Tv Klan