Meta takim me anëtarë e Komisionit për Çështjet Evropiane në Bundestag
Gjatë vizitës së tij në Berlin, Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, u prit në Komisionin e Çështjeve Evropiane të Bundestagut nga deputetë të SPD Norbert Spinrath, Christian Petry dhe Joachim Barchmann.
Meta i falënderoi deputetët gjerman për vëmendjen që Komisioni i Çështjeve Evropiane tregon ndaj Shqipërisë dhe njëkohësisht për mbështetjen e palëkundur të deputetëve social-demokrat ndaj integrimit evropian të të gjithë rajonit.
Deputeti i SPD, Norbert Spinrath, u shpreh se: “Ne si anëtarë të Komisionit jemi të qartë se Ballkani është pjesë e Evropës dhe do të bëjmë gjithçka për t’ju shoqëruar drejt anëtarësimit të plotë në Bashkimin Evropian”.
Kreu i Kuvendit, pasi i falënderoi deputetët e SPD për mesazhin e qartë mbështetës, vuri në dukje se Shqipëria ka realizuar disa reforma të rëndësishme vitet e fundit ku kryefjalë është paketa kushtetuese e reformës në drejtësi e cila u miratua në mënyrë konsensuale në parlamentin shqiptar.
“Siç u evidentua edhe nga progres raporti i fundit i Komisionit Evropian, Shqipëria ka bërë progres dhe hapja e bisedimeve për anëtarësim është një hap i natyrshëm i procesit të integrimit evropian, sepse qëllimi ynë i përbashkët është si të forcojmë Evropën, me një Ballkan tërësisht të integruar në të” – theksoi Meta. /tvklan.al