Meta takim tek banka, doganat dhe tatimet – (1 Shkurt 2000)
Arkiva Lajme – Tv Klan 2000
Institucionet financiare, bankat, doganat dhe tatimet kanë qenë sot impenjimi kryesor në axhendën e kryeministrit Meta. Meta ka vlerësuar kontributin e Bankës Kombëtare të Shqipërisë për arritjen e stabilitetit makro ekonomik. Ndërsa guvernatori Shkëlqim Cani ka nënvizuar disa nga faktorët që duhen plotësuar për ecurinë e kësaj banke. Sistemi bankar tha ai nuk ka patur shërbim modern ndaj klientëve. Sipas tij duhet vazhduar lufta kundër krimit dhe korrupsionit pasi pengojnë kreditimin dhe investimet. Ai ka nënvizuar që fakti se 90% i bilanceve në Shqipëri, janë fallso pengojnë zhvillimin e ekonomisë. Sipas guvernatorit Cani, po punohet për të arritur pavarsinë e Bankës së Shqipërisë, si dhe privatizimi i Bankës së Kursimeve.
Ndërkohë kryeministri ka deklaruar se duhet të shtohet përgjegjësia në administratën shtetërore. Ndërsa përsa i përketë luftës ndaj korrupsionit, ka përfunduar Meta, qeveria ka rikonceptuar programin e saj.
Më pas kryeministri ka shkuar në drejtorinë e Doganave dhe atë të Tatimeve. Sipas drejtuesit të këtyre dy institucioneve, plani i doganave për muajin Janar, është tejkaluar 600 milion lekë në krahasim me një vit më parë, ndërsa tatimet kanë tejkaluar planin mujor në 250 milion lekë. Sipas kryeministrit Meta rritja e rezultateve në dogana e tatime rrisin besimin e biznesit në paanësinë e shtetit.
Kryeministri Ilir Meta:- “Realizimi të paktën 100% i planit të të ardhurave nga doganat për këtë vit është I realizueshëm me këtë përkushtim dhe vullnet që neve si qeveri kemi filluar këtë ndihmë në këtë sektor. Kjo është e rendësishme për realizimin e të ardhurave nga dogana, për forcimin e financave publike por edhe për të goditur kontrabandën, që ka pasoja në mosrealizimin e të ardhurave por edhe që dëmtojnë kredibilitetin e qeverisjes në përgjithësi, të cilat krijojnë favore për një grup biznesesh me interesa të bizneseve të tjera”.
Sipas kryeministrit Meta është arritur stabiliteti makro ekonomik, por njerëzit nuk e vënë re këtë pasi nuk ju interesojnë shifrat por ndryshimi I realitetit që është edhe synimi I qeverisë për vitin 2000./tvklan.al
Gazetare – Ornela Bego