Meta takon Ambasadorin e ri të Çekisë


Meta takon Ambasadorin e ri të Çekisë

13:03 29/03/2017

Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta priti sot Ambasadorin e ri të Republikës Çeke në Shqipëri, Jaroslav Ludva, të cilit i uroi mirëseardhjen në vendin tonë dhe suksese në detyrën e re.

Në një njoftim të shpërndarë për mediat, thuhet se Kryeparlamentari Meta vlerësoi marrëdhëniet dypalëshe dhe shprehu mirënjohjen për mbështetjen e Çekisë ndaj integrimit evropian të Shqipërisë, duke nënvizuar se në këtë drejtim bashkëpunimi ndërparlamentar është duke u thelluar më tej.

Nga ana e tij, mësohet se Ambasadori Ludva shprehu kënaqësinë e marrjes së detyrës së re në Shqipëri dhe rikonfirmoi vullnetin e palës çeke për intensifikimin e bashkëpunimit dypalësh.

Në këtë kuadër u theksua modeli i Grupit të Vishegradit dhe kontributi ndaj Fondit të Ballkanit Perëndimor me seli në Tiranë.

Meta, duke konfirmuar vullnetin e Kuvendit për intensifikimin e marrëdhënieve, vuri në dukje së bashku me Ambasadorin Ludva potencialet e shumta për rritjen e bashkëpunimit dypalësh, veçanërisht në fushat e bujqësisë dhe turizmit, duke vlerësuar numrin gjithnjë në rritje të turistëve çekë në vendin tonë, thuhet më tej në njoftim./tvklan.al






Të ngjashme