Meta takon kryetarin e Asamblesë turke: Mirënjohës për ndihmën pas tërmetit dhe ndërtimin e spitalit të Fierit
Presidenti i Republikës Ilir Meta priti sot në një takim, Kryetarin e Asamblesë së Madhe të Republikës së Turqisë, Mustafa Sentop dhe delegacionin, që e shoqëron, në këtë vizitë zyrtare në Shqipëri.
Duke vlerësuar marrëdhëniet tradicionale të shkëlqyera mes dy vendeve e popujve tanë dhe pasi nënvizoi rëndësinë e zhvillimit më tej të tyre në të ardhmen, Presidenti Meta theksoi nevojën e forcimit të mëtejshëm të bashkëpunimit në fushën ekonomike dhe rritjes së investimeve turke në Shqipëri.
“Përvoja e bashkëpunimit si dy vende aleate në NATO dhe Partneriteti Strategjik midis Shqipërisë dhe Turqisë, mbeten një platformë e rëndësishme e përpjekjeve e përbashkëta për sigurinë dhe paqen”, pohoi Kreu i Shtetit.
Presidenti Meta e falënderoi Kryetarin Sentop për solidaritetin dhe ndihmën e menjëhershme të dhënë nga autoritetet turke pas tërmetit të 26 Nëntorit 2019, dhe për angazhimin e Turqisë e Presidentit Erdogan për ndërtimin e 500 apartamenteve të banimit për të prekurit nga tërmeti në zonën e Kurbinit, si dhe për ndërtimin e Spitalit të Fierit./tvklan.al