Meta, thirrje qeverisë për personelin mjekësor dhe sektorin fason
Presidenti Ilir Meta i ka kërkuar qeverisë që të garantojë me përgjegjësi dhe transparencë të gjitha masat mbrojtëse për personelin shëndetësor në këtë kohë pandemie. Thirrjen kreu i shtetit e lëshon nga rrjetet sociale me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Sigurisë dhe Shëndetit në Punë.
“Përsëris thirrjen drejtuar Qeverisë për të garantuar me përgjegjësi dhe transparencë të gjitha masat mbrojtëse për mjekët, infermierët dhe personelin e tyre mbështetës, të cilët rrezikojnë shëndetin e tyre për të mbrojtur shëndetin e të gjithëve ne”.
Meta thotë se është duke ndjekur me shqetësim situatën në sektorin fason. Sipas tij aty janë shfaqur një sërë problematikash.
“Me shqetësim kam ndjekur këto ditë edhe situatën në sektorin fason, ku janë shfaqur një sërë problematikash, që mund të ishin shmangur nëse masat kufizuese, higjiena dhe distancimi social në ambientet e punës do të ishin respektuar. Ndërkohë që ky sektor kryesor punëdhënës ka nevojë për një përkrahje më konkrete për të mbijetuar”.
Sipas kreut të shtetit garantimi i kushteve të sigurta dhe të shëndetshme të punës në çdo sektor janë të domosdoshme për menaxhimin e pandemisë dhe rikthimin sa më shpejt në normalitet./tvklan.al