Meta zgjidhet Kryeministër – (27 Tetor 1999)
Arkiva Lajme – Tv Klan 1999
Ilir Meta është Kryeministri i ri i Shqipërisë. Pas votimit të sotëm në KPD Socialist, Ilir Meta ka fituar 68 vota përballë 45 votave të fituara nga rivalja e tij për postin e kryeministrit Makbule Çeço. Kandidatura e Ilir Metës është propozuar nga kryesia socialiste ndërsa kandidatura e Makbule Çeços është ripropozuar nga KPD në emër të 6 antarëve teë kryesisë socialiste nga Gramoz Ruçi.
Votimi për zgjedhjen e Metës në postin e kryeministrit është paraprirë nga vlerësimet të anëtarëve të KPD Socialiste për të dy kandidaturat. Në përkrahje të Metës janë deklaruar hapur Majko, Sherifi, Ruka, ndërsa në përkrahje të kandidaturës së Makbule Çeços u rreshtuan Petro Koçi, Bardhyl Agasi, Afërdita Stefani etj.
Ruçi e Pëllumbi i kanë tërhequr vëmendjen kryetarit Nano se duheshin paraqitur nga kryesia socialiste dy kandidatura alternative. Megjithatë sekretari i përgjithshëm drejtues Namik Dokle ka marrë konsensusin e të pranishëmve për të mbyllur diskutimet. Pas votimit Meta ka fituar me 23 vota më tepër se rivalja e tij Çeço.
Në fjalën e tij Kryeministri i ri Ilir Meta garantoi vazhdimësinë e arritjeve të kabinetit Majko dhe bashkëpunimin me opozitën, aleatët e koalicionit, organizmat ndërkombëtarë dhe objektivin për të fituar zgjedhjet lokale në vitin 2000 dhe ato të përgjithshme në vitin 2001./tvklan.al
Gazetar – Vladimir Lame