Mijëra lakuriqë pushtojnë qytetin
Shqetësim për banorët, por autoritetet nuk lejojnë cënimin e tyre
Këta lakuriqë natë thuajse e kanë pushtuar qytezën verilindore australiane të Inghemit. Me mijëra prej tyre kanë ngritur fole në parqet e qytezës. Ata nisin të fluturojnë që kur bie pasditja e gjatë gjithë natës, shpesh herë edhe mbi kokat e qytetarëve, duke u bërë prej disa javësh shqetësim kryesor për ta. Banorët e zonës ankohen për zhurmat, por edhe për aromën e rëndë të tyre.
Megjithatë, autoritetet e kanë të pamundur t’i vrasin, apo të përdorin mënyra të tjera për largimin e tyre nga zona, pasi çdo procedurë kundër tyre ndalohet me një ligj special të miratuar nga Parlamenti i rajonit të Kuinslendit.
Helikopterët e emergjencave civile që bënin uljen pranë spitalit, u zhvendosën në një pistë jashtë qytezës pasi e kishin të pamundur të bënin uljen në zonën ku lakuriqët e natës kanë krijuar foletë.
Lakuriqët e natës, që banorët lokalë i konsiderojë si “dhelpra fluturuese” për shkak të madhësisë, janë bartës të virusit që shkakton sëmundjen e tërbimit. Kafshimet apo gërvishjet e tyre u kanë marrë jetën 3 personave pak kohë më parë në Inghem.
Tv Klan