Miklovan Kopani, drejtori i ri i Burgjeve
24 orë pas dorëheqjes Artur Zotos nga posti i Drejtorit të Përgjithshëm të Burgjeve, Ministri I Drejtësisë Ylli Manjani ka gjetur zëvendësuesin. Ai është Miklovan Kopani, 41 vjeç lindur në Pukë dhe banues në Tiranë.
Ministri i Drejtësisë e vlerësoi punën e ish-drejtorit në krye të sistemit penitenciar. Sipas ministrit Manjani, CV-ja e drejtorit të ri reflekton një përvojë të gjatë në drejtim dhe shërbimin publik, përfshirë edhe institucione të sigurisë kombëtare.
Kopani së fundmi mbante detyrën e Drejtorit të Përgjithshëm të Shërbimit të Monitorimit të Institucioneve të Pavarura, në Kuvendin e Shqipërisë. Më parë ka mbajtur detyra funksionale në Shërbimin Informativ Shtetëror.
Dorëheqja e Artur Zotos, erdhi menjëherë pas zbulimit të skandalit me tenderët e ushqimeve të burgjeve, ku me urdhër të prokurorisë u arrestua zv/drejtori i këtij institucioni Iliaz Labi dhe 4 administratorë të kompanive private.
Ata paracaktonin mes njëri tjetrit fituesit e tenderëve të ushqimeve ndërsa zyrtari i lartë i burgjeve merrte 2 milionë lekë të reja për çdo tender të kryer. /TV KLAN