Milioneri shpjegon pse nuk do t’i dhurojë gruas trëndafila për Shën Valentin
Shumë do të blejnë trëndafila ose dhurata për të dashurit e tyre sot, në ditën e Shën Valentinit. Por, diçka të tillë nuk do ta bëjë milioneri Grant Cardone.
“Nuk do t’i jap trëndafila për Shën Valentin. E dua gjatë 364 ditëve të vitit, kështu që mund ta braktis Shën Valentinin,” tha Cardone, i cili ka katër kompani që bëjnë rreth 100 milionë dollarë shitje në vit. “Unë nuk bëj pushime kur bëjnë të tjerët…Nuk udhëtoj kur udhëtojnë të tjerët. Është më e kushtueshme dhe ka më shumë njerëz. Pse duhet të nxitoj të iki për pushime për krishtlindje kur gjithkush shkon me pushime?” tha ai për “CNBC”. Cardone nuk i urren pushimet, ai thjeshtë dëshiron të shkojë me pushime kur dëshiron vetë, jo kur i thonë të tjerët. Ai këshillon që në vend që të bëni çfarë thotë turma, përdoreni ditën e Shën Valentinit, ditën e Falënderimeve dhe ditët e tjera të festave për të punuar. “Harxhojeni kohën duke punuar gjatë pushimeve kur askush tjetër nuk punon,” tha ai. “Nëse doni të bëheni milionerë, ju duhet të ndaloni së punuari 9 me 5 dhe të filloni të punoni 95 orë në javë,” tha Cardone. /tvklan.al